top of page

RINIA – Konkursi i Raporteve të Rasteve Klinike

RINIA fton studentët e mjekësisë dhe mjekët të përshkruajnë një rast klinik interesant dhe me vlerë mësimore nga praktika e tyre, duke ndjekur të njëjtën strukturë të udhëzimeve CARE të prezantuar gjatë sesionit tonë mësimor për raportimin e rasteve klinike.

Notebook And Pens

Përmbledhje dhe Qëllimi

Ky konkurs është krijuar për t’ju ndihmuar ta ktheni përvojën reale klinike në hapin tuaj të parë drejt publikimit. Do të përzgjidhni një rast klinik interesant, do të shqyrtoni evidencën shkencore që lidhet me të dhe do ta zhvilloni në një raport të plotë të rastit klinik, me mbështetjen e trajnimit të RINIA-s, modelit të strukturuar dhe feedback-ut.

​

Duke marrë pjesë, do të keni mundësinë të:

  • Forconi të menduarit e bazuar në evidencë shkencore dhe të fitoni më shumë siguri në zbatimin e udhëzimeve klinike ndërkombëtare.

  • Zhvilloni që në fillimet e formimit tuaj aftësi praktike në kërkimin shkencor dhe shkrimin akademik.

  • Prezantoni para një audience më të gjerë raste interesante dhe me vlerë mësimore nga praktika klinike në rajon.

  • Mësoni si ta ktheni një ide fillestare në një raport të plotë, të gatshëm për t’u dorëzuar për botim në një revistë shkencore, ndërsa punimet më të mira do të marrin mbështetje për publikim.

​

Pavarësisht nëse është hera e parë që merreni me shkrim akademik apo dëshironi të zhvilloni më tej aftësitë tuaja, ky konkurs ju ofron një mundësi të qartë dhe të strukturuar për ta kthyer përvojën tuaj klinike në një punim me potencial për publikim.

Kush mund të marrë pjesë?

Për të marrë pjesë:

​

  • ⁠Pjesëmarrësit duhet të kenë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në kujdesin ndaj pacientit dhe të njohin mjaftueshëm ecurinë klinike të pacientit për ta përshkruar dhe diskutuar rastin me saktësi.

  • Çdo pjesëmarrës mund të dorëzojë vetëm një raport.

  • Punimi i dorëzuar duhet të përmbushë kërkesat e konkursit.

Çfarë është një Raport Rasti Klinik?

Një raport klinik është një formë e shkrimit mjekësor që përshkruan historinë klinike të një pacienti.

Zakonisht përfshin:

​

•⁠  ⁠Çfarë i ka ndodhur pacientit.
•⁠  ⁠Çfarë e bën rastin interesant, të pazakontë ose të rëndësishëm.
•⁠  ⁠Si është vlerësuar, diagnostikuar dhe trajtuar pacienti.
•⁠  ⁠Çfarë mund të mësojmë nga ky rast.

​

Nuk është e nevojshme të përfshini një numër të madh pacientësh apo të kryeni një studim kërkimor. Një rast interesant, nga i cili mund të nxirret një mësim i qartë klinik, mund të jetë i mjaftueshëm.

​

Raportet klinike janë një mënyrë e shkëlqyer për të filluar zhvillimin e aftësive në shkrimin mjekësor, të menduarit kritik dhe kërkimin shkencor, si dhe për të ndarë përvoja nga të cilat mund të mësojnë edhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë.

Si mund të më mbështesë RINIA?

Ky konkurs është veçanërisht i përshtatshëm për ata që kanë pak ose aspak përvojë të mëparshme në kërkimin shkencor apo shkrimin akademik.

​

Ne do të organizojmë webinare për t’ju mësuar se si të shkruani një raport rasti klinik.

​

Gjithashtu, ekipi ynë do të jetë në dispozicion për t’ju ofruar komente mbi draftin tuaj, në mënyrë që të mund të dorëzoni versionin më të mirë të punës suaj në konkurs.

Datat Kryesore

Regjistrimi hapet: 24.08.26

Afati i fundit për dorëzim: 20.12.26

Shpallja e fituesve: 20.01.27

Si të merrni pjesë?

  1. Përdorni Modelin e RINIA-s për Shkrimin e Raportit të Rastit Klinik si udhëzues gjatë përgatitjes së punimit tuaj dhe ndiqni udhëzimet CARE (si dhe udhëzimet SCARE, kur janë të përshtatshme për raste kirurgjikale ose procedurale).

  2. Dorëzoni raportin tuaj të përfunduar në format PDF, si bashkëngjitje në emailin rinia.uk@outlook.com, përpara afatit të dorëzimit të përcaktuar më sipër.

​

Në trupin e emailit, ju lutemi përfshini informacionin e mëposhtëm personal:

  • Emrin dhe mbiemrin e plotë.

  • Moshën.

  • Universitetin/institucionin ku aktualisht studioni ose ku keni studiuar më së fundmi.

  • Nëse jeni student: programin e studimit dhe vitin aktual të studimeve.

  • Nëse keni përfunduar studimet: profesionin dhe nivelin aktual të formimit ose pozicionin tuaj (p.sh. Foundation Year 1 / Intern).

  • Ju lutemi gjithashtu konfirmoni në email se keni marrë pëlqimin e vlefshëm nga pacienti ose, kur është e përshtatshme, nga i afërmi i tij/saj më i afërt.

​

Do të merrni konfirmimin e pranimit të punimit tuaj me email brenda 3 ditëve pune. Nëse nuk merrni konfirmim, kontaktoni RINIA-n përpara afatit të dorëzimit.

Studying in Cafe

Kërkesat për formatimin

• Numri i fjalëve: 1,500–3,000 fjalë, duke përjashtuar abstraktin dhe referencat.

• Struktura: Titulli, fjalët kyçe, abstrakti, hyrja, informacioni për pacientin, gjetjet klinike/kronologjia, vlerësimi diagnostik, ndërhyrja terapeutike, ndjekja dhe rezultatet, diskutimi dhe përfundimi, referencat.

• Referencat: Mund të përdoret çdo stil referencimi i njohur dhe i qëndrueshëm (p.sh. Vancouver), për sa kohë që përdoret në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë punimin.

• Imazhet/figurat: Opsionale.

• Anonimizimi: Nuk duhet të përfshihen emra, iniciale, data të sakta të lindjes, numra spitalorë, adresa të sakta apo detaje të tjera identifikuese askund në punimin e dorëzuar.

• Pëlqimi: Duhet të merrni pëlqimin nga pacienti ose nga i afërmi i tij më i afërt dhe të konfirmoni se e keni marrë këtë pëlqim kur dorëzoni raportin tuaj të rastit. Një shembull të formularit të pëlqimit mund ta gjeni këtu.

Për çfarë do të vlerësohem?

Raporti juaj i rastit do të vlerësohet në bazë të 5 aspekteve të ndryshme, secili me peshë të ndryshme:

image_edited.jpg

Çmimet

image_edited.jpg

Kushtet e Përgjithshme

Duke dorëzuar një punim, pjesëmarrësit konfirmojnë se informacioni i dhënë është i saktë dhe se punimi i tyre përputhet me rregullat e konkursit, përfshirë kërkesat për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit dhe çidentifikimin e të dhënave.

  • RINIA mund, vetëm me lejen e veçantë dhe të shprehur të pjesëmarrësit, të publikojë pjesë nga punimet fituese për qëllime promovuese.

  • RINIA rezervon të drejtën të ndryshojë këto rregulla, afatet kohore ose çmimet në çdo kohë, duke njoftuar pjesëmarrësit e regjistruar brenda një afati të arsyeshëm.

  • Pjesëmarrësit ruajnë në çdo kohë pronësinë e plotë dhe të drejtat e autorësisë mbi punimet e tyre.

  • Çdo mosmarrëveshje lidhur me pranueshmërinë, procesin e vlerësimit ose rezultatet do të shqyrtohet nga komiteti i RINIA-s, vendimi i të cilit është përfundimtar.

  • Fituesi i një çmimi monetar është përgjegjës për të siguruar që ka një mënyrë të përshtatshme për të pranuar pagesa ndërkombëtare.

This Initiative Is Supported By The Albanian Committee of Medical Students

Screenshot 2026-08-21 at 16.38.06.png
bottom of page